Pjesëtarët e stafit të dy universiteteve, Hëna e Plotë- BEDËR dhe Pamukkale, zhvilluan një workshop të përbashkët, ku u diskutuan tema që lidhen me sistemet e menaxhimit të universiteteve dhe rrugët për rritjen e cilësisë si në aspektin akademik, ashtu edhe në drejtimin administrativ. Gjatë aktivitetit morën fjalën, zëvendësrektori i Universitetit Pamukkale, Prof. Dr.Hasan Kaplan, Rektori i Bedër, Dr.Ferdinand Gjana, pedagogë nga të dy universitetet, si dhe drejtues të njësive administrative nga të dyja palët e pranishme. Diskutimi u ndal në zbatimin e sistemeve bashkëkohore të menaxhimit të universiteteve dhe ndikimin që kanë ato në rritjen e cilësisë. Bashkëbiseduesit ndanë mes tyre eksperienca, ide, si dhe propozuan vazhdimin e takimeve të tilla edhe në të ardhmen, me qëllim konkretizimin e këtij bashkëpunimi. Ky workshop ishte fryti i parë konkret i marrëveshjes së firmosur mes dy institucioneve.