Programi i studimit “Master i shkencave në Shkenca Kompjuterike” është projektuar t’ju ofrojë studentëve njohuri më të thella intelektuale, bashkëkohore e specifike në fushën e shkencave kompjuterike. Ky program pajis studentët me njohuri të thelluara për të punuar shumëllojshmëri të dhënash socio-ekonomike si dhe aplikimin e tyre në sistemet informatike.
Fokusi i kryesor i këtij programi është menaxhimi i të dhënave në sasi të mëdha (Big Data) të gjeneruara nga sistemet informatike lokale dhe të shpërndara duke përdorur metodat dhe mjetet më të avancuara të Inteligjensës Artificiale.
Misioni
Misioni kryesor është të përgatisë me njohuri teorike dhe praktike individë profesionistë e të kualifikuar të cilët do të kontribuojnë në fushën e shkencave kompjuterike me aftësitë e tyre analitike, shkencore, teknologjike, sociale dhe financiare në sektorët publik ose privat ku do të angazhohen. Misioni i programit “Master i shkencave në Shkenca Kompjuterike” është konsolidimi i praktikave të fituara gjatë viteve të para si në përgatitjen teorike ashtu dhe atë laboratorike e profesionale.
Qëllimi
Qëllimi kryesor i programit është realizimi i studimeve cilësore dhe përgatitja efektive e studentëve nëpërmjet një ndërthurjeje harmonike të teorisë dhe praktikës në kushte bashkëkohore. Ky program synon të pajisë studentët me dije të thelluara akademike, kompetenca dhe njohuri të aplikuara në fushën e shkencave kompjuterike, analizimit të të dhënave në mënyrë inteligjente dhe elementëve të sistemeve të informacionit, në mënyrë që të arrijnë përmbushje profesionale në një treg kombëtar, rajonal dhe botëror.
Qëllimi i programit “Master i shkencave në Shkenca Kompjuterike” është të përgatisë specialistë me kualifikim të lartë me njohuri nga fusha e programimit në objekte dhe programimit në Web, menaxhimit të bazave të të dhënave, programimit inteligjent, sigurisë kibernetike dhe përpunimit të informacionit në sasi të mëdha.
Objektivat
Programi “Master i shkencave në Shkenca Kompjuterike” ka si objektiv parësor pajisjen e studentëve me njohuri dhe përgatitje sa më të plotë profesionale në fushën e dizenjimit të sistemeve të ndryshme informatike, njohuri të avancuara të programimit në objekte dhe programimit në Web, menaxhimit të bazave të të dhënave, sigurisë së të dhënave si dhe programimit inteligjent.
Në fund të këtij programi studentët duhet të jenë të aftë në përpunimin e të dhënave dhe shërbimeve të ndryshme, të përdorin dhe të adaptohen me të gjitha pajisjet dhe softwaret bashkëkohorë dhe sistemet teknologjike moderne të informacionit, të komunikojnë efektivisht me klientët, të zhvillojnë të menduarit kritik dhe të marrin vendime etike në çdo situatë.
Përmes një kurrikule efektive dhe të përditësuar, ky program ka si objektiv të zhvillojë tek studentët një botëkuptim të thellë të shkencave kompjuterike, duke i gërshetuar me sa më tepër mbështetje praktike, për të arritur një shkallë të lartë profesionale.
Një tjetër synim i programit është të nxjerrë në tregun e punës individë të përgatitur profesionalisht për t’u përballur me kushtet e një tregu të hapur global në fushën e shkencave kompjuterike.
Gjithashtu, paketa e njohurive që ofrohet nga ky program dhe kompetencat që studentët fitojnë përmes tij, u jep atyre mundësinë të ndjekin edhe një karrierë kërkimore e akademike në një cikël më të lartë, për të rritur statusin e tyre profesional dhe përmbushjen e objektivave personale.
Në një kohë jo shumë të largët synohet që ky program të jetë konkurues me programet analogë, ofruar nga universitetet e tjerë, duke krijuar kështu mundësitë që studentët tanë të synojnë punësimin në kompani, ente dhe agjenci brenda dhe jashte vendit. Brenda pak vitesh synohet bashkëpunimi me universitete europiane dhe jo vetëm, gjë që do të krijojë mundësitë për të ndjekur të rejat më të fundit në botë në fushën e shkencave kompjuterike dhe aplikimin e tyre ne vend. Ky bashkëpunim do të shoqërohet nga investime më të fuqishme në bazën dhe logjistkën laboratorike si dhe thithjen e kapaciteteve më të kualifikuara mësimdhënëse. Një synim tjetër i programit do të jetë përfshirja e studentëve në ngritjen dhe funksionimn e Qendrës së Certifikimeve e cila do të synojë specializimet më të ngushta të studentëve të këtij programi duke i bërë ata të gatshëm për të konkuruar në vende me kualifikim të lartë në tregun kombëtar dhe rajonal të punës.
Programi i ri i studimit synon në kompetencat e mëposhtme:
• Zhvillimi i të menduarit kritik, analitik dhe sintetik.
• Aftësia për t’iu përgjigjur në mënyrë krijuese sfidave profesionale në fushat e programimit, sigurisë kibernetike, përpunimin e të dhënave në sasi të mëdha dhe përdorimin e informacionit.
• Aftësia për të përdorur njohuritë e fituara për zgjidhjen e problemeve profesionale dhe shkencore dhe për zgjerimin e njohurive të fituara.
• Aftësia në metodat e hulumtimit në fushën e shkencave kompjuterike.
• Aftësia për menaxhimin administrativ të proceseve që lidhen me kërkimin shkencor, ekonominë, industrinë, arsimin dhe fusha të tjera.
• Aftësia e komunikimit profesional me shkrim në fushat e shkencave kompjuterike dhe teknologjive të komunikimit në gjuhën shqipe dhe angleze.
• Aftësia për të transmetuar njohuri.
• Aftësia për të kërkuar burime të njohurive dhe për të vlerësuar në mënyrë kritike informacionin.
• Aftësia për të punuar në ekip brenda mjedisit profesional.
• Zhvillimi i përgjegjësisë profesionale dhe etikës.
• Përsosja e kompetencave themelore në fushën e shkencave kompjuterike dhe të informacionit, të cilat përfshijnë njohuritë teorike, njohuritë praktike dhe aftësitë thelbësore për punën në fushën e shkencave kompjuterike dhe teknologjive të komunikimit.
• Njohja e detajuar e shkencave kompjuterike dhe të informaciconit dhe aftësia për të aplikuar njohuritë e fituara në fusha teknike dhe fusha të tjera relevante profesionale (ekonomia, shkencat organizative, etj...).
• Aftësia për të transmetuar njohuri për bashkëpunëtorët në grupet e teknologjisë dhe hulumtimit, administratorët, menaxherët, etj...
• Përdorimi krijues i njohurive praktike dhe shkathtësive që lidhen me pajisjet kompjuterike, të softwerit, teknologjisë së informacionit dhe teknologjive të komunikimit të nevojshme për punë profesionale të suksesshme në shkencat kompjuterike dhe të informacionit.
Të diplomuarit në këtë program do të kenë kompetencën për të zgjidhur në mënyrë të pavarur kërkesat e zhvillimit të teknologjisë, inxhinierisë dhe organizimit, si dhe të bëjnë kërkime në fushat e tyre të studimit, duke hapur mundësitë e studimit të mëtejshëm në programet e doktoraturës dhe programe të tjera relevante të ciklit të tretë. Këto objektiva të programit janë të rëndësishme për përgatitjen e studentëve për tregun e punës po ashtu edhe për të zhvilluar bizneset e tyre.
Lloji i programit, kohëzgjatja, numri i krediteve, etj
Programi i studimit “Master i Shkencave në Shkenca Kompjuterike” është një program studimi me kohë të plotë dhe kohëzgjatja e studimeve është 2 vite akademike / 4 semestra. Studentët për t’u diplomuar duhet të realizojnë 120 ECTS. Në përfundim të programit, studentët pajisen me diplomë: Master i Shkencave në Shkenca Kompjuterike. Gjuha e programit është shqip.
Njësia bazë / njësia ofruese e programit të studimit
Programi “Master i Shkencave në Shkenca Kompjuterike” ofrohet nga Departamenti i Shkencave Kompjuterike.