Kompania InterMedia zhvillon sesion informimi rreth praktikave profesionale

Studentët e departamentit të Shkencave Kompjuterike zhvilluan një sesion informimi me Përfaqësuesit e kompanisë InterMedia në lidhje me mundësinë e internshipeve në fushën e zhvillimit të projekteve inovative në industrinë e turizmit.

Takimi e hapi përgjegjësi i departamentit, Dr. Arti Omeri, i cili në fjalën e tij bëri një prezantim të shkurtër të bashkpunimit që institucioni ka me kompani të ndryshme në sektorin e teknologjisë. Ai gjithashtu theksoi rëndsinë që kanë praktikat dhe internship-et në kualifikimin dhe karrierën e studentëve.

Në prezantimin e tyre, përfaqësuesit e InterMedia SHPK theksuan se InterMedia, e themeluar në vitin 2006, ka shërbyer si pioniere e marketingut dixhital në Shqipëri, duke krijuar një emër në industrinë e turizmit.

Kompania është specializuar në zhvillimin e softuerëve, web platformave dhe menaxhimin e pronave, duke sjellë në jetë projekte inovative si AllBookers.com dhe BookersDesk.com.

Projektet kryesore, si BookersDesk.com dhe AllBookers.com, u prezantuan si sisteme inovative për menaxhimin e rezervimeve online dhe reklamimin e pronave për hotelierët. Përveç kësaj, u theksuan edhe projekte të tjera inovative të kompanisë si RentalSoft, FinanceSoft, EasyBill, dhe E-Table, të cilat kanë potencialin për të ndryshuar industrinë e turizmit.

Intermedia SHPK po ofron një mundësi të veçantë internshipi për studentët e Teknologjisë, që dëshirojnë të eksplorojnë dhe zhvillojnë njohuritë e tyre.

Pjesëmarrësit në program do të kenë mundësinë të aplikojnë njohuri teknike dhe kreative në projekte reale, duke përfituar nga mentorimi i drejtpërdrejtë nga një ekip profesional.

Me një program të strukturuar që përfshin një kurs falas me një kohëzgjatje prej 82 orësh, si dhe fleksibilitet në orarin e punës për studentët në universitet, ky program internshipi ka një kohëzgjatje prej 2-3 muaj, me mundësinë e vazhdimësisë në varësi të performancës së pjesëmarrësve.